Tiranë, më 4.7.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 607, datë 22.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Kledian Llaho, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës gjyqësore konstatoi praninë e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho, të subjektit të rivlerësimit z. Kledian Llaho dhe të z. Elis Bilali, që paraqiti aktin e përfaqësimit të avokatit për subjektin e rivlerësimit z. Llaho.
Përfaqësuesi ligjor i z. Llaho kërkoi shtyrje të seancës me qëllim pasjen e një kohe të arsyeshme në dispozicion për t’u njohur me ankimin dhe çështjen.
Lidhur me këtë kërkesë, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme u shpreh se avokati ka pasur në dispozicion kohë të mjaftueshme për t’u njohur me aktet dhe ankimin, megjithatë, për një mbrojtje efektive, nuk kishte kundërshtime për shtyrjen e seancës gjyqësore.
Pasi u konsultua, trupi gjykues konstatoi se nga aktet e fashikullit rezulton se subjekti i rivlerësimit, më datë 05.12.2022, ka marrë dokumentacionin fizik dhe në formë elektronike (CD) të dosjes së hetimit administrativ pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Trupi gjykues vendosi se, pavarësisht se subjekti i rivlerësimit ka pasur gjithë kohën e nevojshme për caktimin e një mbrojtësi dhe për t’i vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm, pranoi kërkesën e avokatit, duke shtyrë seancën gjyqësore publike për në datën datën 11.07.2025, ora 13:00.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.