Tiranë, më 4.7.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 605, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Armida Hamiti (Moçka),me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, deklaroi se subjekti i rivlerësimit, znj. Armida Hamiti (Moçka), nuk arrin të provojë të kundërtën e barrës së provës dhe se ndryshe nga sa arsyetohet në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifkimit, pamjaftueshmëria financiare e saj dhe personave të lidhur me të është e tillë, saqë nuk mund të gjejnë zbatim parimet e proporcionalitetit dhe objektivitetit.
Z. Dumani kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 605, datë 21.12.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektin e rivlerësimit.
Në prapësim të shkaqeve të ankimit, subjekti i rivlerësimit deklaroi se ankimi është i pambështetur në ligj, ka kontradikta logjike e faktike dhe se është i bazuar në interpretime formaliste e të pjesshme të provave. Subjekti i rivlerësimit kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe pranimin në cilësinë e provës të disa akteve të reja, të cilat i depozitoi në mbështetje të pretendimeve të saj. Znj. Hamiti kërkoi gjithashtu, rrëzimin e ankimit të Komisionerit Publik si të pabazuar në ligj e në prova dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 605, datë 21.12.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e ka konfirmuar atë në detyrë.
Pas disa saktësimeve që relatori i çështjes i kërkoi subjektit të rivlerësimit lidhur me anën formale të akteve të depozituara, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se përveç tri akteve që nuk përmbushnin kriteret ligjore nga ana formale, të tjerat duhet të pranoheshin në cilësinë e provës, pasi do të shërbenin për shqyrtimin objektiv të çështjes.
Pasi Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme i drejtoi disa pyetje subjektit të rivlerësimit në funksion të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues vendosi të riçelë hetimin gjyqësor, duke pranuar në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, përveç akteve që rezultuan se nuk janë në formën e kërkuar nga ligji.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe i ftoi ato për të paraqitur konkluzionet përfundimtare. Për t’i dhënë kohë palëve për t’i përgatitur konkluzionet përfundimtare, u vendos shtyrja e seancës për në datën 11.07.2025, ora 9:00.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.