Tiranë, më 11.7.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në në seancën gjyqësore të datës 11.7.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 607, datë 22.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Kledian Llaho, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë.
Subjekti i rivlerësimit, në seancën e datës 11.7.202 paraqiti dy kërkesa paraprake së bashku me disa akte të bashkëlidhur që kishin si objekt:
Pezullimin e shqyrtimit në Kolegj të cështjes së juridiksionit të rivlerësimit (JR) 11/2023, datë 10.03.2023 deri në marrjen e një vendimi përfundimtar lidhur me dy çështje të Juridiksionit Disiplinor që janë të regjistruara po në Kolegj, me kërkues magjistratin Kledian Llaho, me objekt kundërshtimin e dy vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për dhënien e masave disiplinore ndaj tij;
Pezullimin e shqyrtimit në Kolegj të cështjes së juridiksionit të rivlerësimit (JR) 11/2023, datë 10.03.2023, deri në zgjidhjen me vendim gjyqësor të formës së prerë të një çështjeje penale të filluar ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme.
Pasi dëgjoi edhe qëndrimin e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho, i cili u shpreh se ankimi nuk përmban shkaqe dhe fakte juridike që lidhen me çështjet e referuara nga subjekti i rivlerësimit, trupi gjykues vendosi rrëzimin e kërkesave të z. Kledian Llaho si të pabazuara në fakte dhe në ligj.
Pas çeljes së shqyrtimit gjyqësor, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme vijoi me paraqitjen e shkaqeve të ankimit, duke vlerësuar se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit kontradiktor, të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë. Sa i përket kriterit të figurës, z. Braho deklaroi se, nga informacioni i organeve ligjzbatuese përfitohen indicie se integriteti i subjektit të rivlerësimit duhet të konsiderohet me mangësi, ndërkohë që z. Llaho nuk ka dhënë shpjegime bindëse dhe nuk ka arritur të përmbysë barrën e provës lidhur edhe me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, duke u gjendur në kushtet e cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkoi përfundimisht ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 607, datë 22.12.2022 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Pasi dëgjoi parashtrimin e shkaqeve të ankimit nga ana e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, për shkak të tejzgjatjes së seancës gjyqësore, trupi gjykues vendosi ta ndërpresë atë, për ta vijuar në datën 23.07.2025, ora 9:00.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.