Tiranë, më 11.7.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme), që ta përfaqësojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në seancën gjyqësore të datës 11.7.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 605, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj Armida Hamiti (Moçka), me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë

Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme z.Xholi, në bisedimet përfundimtare lidhur me këtë çështje, deklaroi se bazuar në gjëndjen që janë aktet, rezulton se problematikat e evidentuara në kriterin e vlerësimit të pasurisë, nuk janë të tilla që të mund të justifikojnë sanksionin e shkarkimit nga detyra të subjektit të rivlerësimit, ndërkohë që nuk vërehen indicie apo dyshime lidhur me dy kriteret e tjera, profesionalizmin dhe figurën. Sa më sipër, për shkak të specifikave të këtij rasti, sipas të cilit, subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë në detyrën e prokurores apo në ndonjë funksion tjetër publik në kohën e krijimi të pasurive të deklaruara apo nuk ka patur mundësi të ndikojë nëpërmjet abuzimit me detyrën në krijimin e tyre, i kërkoi përfundimisht Kolegjit, lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 605, datë 21.12.2022.

Subjekti i rivlerësimit vijoi me konkluzionet përfundimtare, duke deklaruar se ka arritur të përmbysë barrën e provës, si dhe të provojë bindshëm ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurisë, duke i kërkuar përfundimisht Kolegjit mospranimin e ankimit dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 605, datë 21.12.2022.

Në vijim, në përgjigje të pyetjes së vëzhgueses së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, përfaqësuesi i Prokurorosë së Posaçme z. Adnan Xholi, sqaroi kërkimin përfundimtar të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, duke konfirmuar se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rezultoi i drejtë dhe i bazuar në prova dhe në ligj.

Trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 17.07.2025, ora 09:30.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF