Tiranë, më 16.10.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (njëkohësisht Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 16.10.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 673, datë 15.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Mirela Zavalani, me detyrë Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, z. Adnan Xholi, deklaroi se, gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj, nuk u provua e kundërta e shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe deklarimet e subjektit të rivlerësimit janë të paqarta dhe të pasakta në raport me aktet në dosje, duke e bërë deklarimin e saj të pabesueshëm dhe kontradiktor. Lidhur me disa transaksione bankare të bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme vlerësoi se në përfundim mbetën të provuara mungesa e deklarimeve të subjektit të rivlerësimit dhe personit të lidhur me të, në lidhje me këto transaksione dhe në gjendjen që janë aktet, shpjegimet e subjektit u vlerësuan jobindëse në drejtim të ezaurimit të këtij shkaku ankimor, duke i kërkuar Kolegjit që t’i vlerësojë këto në kuadër të cenimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, z. Adnan Xholi, kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 673, datë 15.6.2023, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit paraqiti në mënyrë të detajuar shpjegimet e saj lidhur me ankimin, duke deklaruar se u provua ligjshmëria e burimit të krijimit të pasurisë së saj, se diferencat minimale të konstatuara nuk kanë peshë të atillë, që do të mund të cenonte besueshmërinë e saj financiare dhe nuk lënë shkak për masën disiplinore të shkarkimit, duke kërkuar përfundimisht, lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 673, datë 15.6.2023.

Në vijim, përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit vlerësoi shkakun ankimor të lidhur me cenimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë, të pambështetur në bazën ligjore përkatëse dhe si një shkak ankimi të rënë në dekadencë, pasi duhet të ishte paraqitur gjatë fazës së debatit gjyqësor.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 24.10.2025, ora 9:30.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF