Tiranë, më 24.10.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 24.10.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.704, datë 9.10.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Elidon Hysenaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 24.10.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 55/2023, datë 24.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 704, datë 09.10.2023, për subjektin e rivlerësimit Elidon Hysenaj.
Në vijim të seancës së mëparshme, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se, pasi ishte njohur në burim me informacionin e klasifikuar, vlerësonte se problematikat e konstatuara lidhur me veprimet hetimore të ndërmarra nga subjekti i rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës, nuk ishin të tilla që mund të justifikonin masën e shkarkimit nga detyra. Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 704, datë 09.10.2023.
Subjekti i rivlerësimit shprehu dakordësinë me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, duke vlerësuar qëndrimin e tij, të drejtë dhe profesional.
Pasi dëgjoi qëndrimet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 28.10.2025, ora 15:30.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.