Tiranë, më 28.10.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 28.10.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.724, datë 13.12.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Arben Agovi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho, i pranishëm në seancë.
Lidhur me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, pasi detajoi shkaqet e ankimit, tha se gjatë ushtrimit të detyrës nga subjekti i rivlerësimit, vërehet mungesë e ndërmarrjes së hetimeve,mbledhjes së provave, si dhe mungesë e arsyetimit logjik gjatë trajtimit të procedimeve penale. Sa i takon kriterit të vlerësimit të pasurisë deklaroi se edhe pse ka pamjaftueshmëria financiare e konstatuar në mbulimin me burime të ligjshme të shpenzimeve dhe pasurisë, kjo nuk është e tillë që do të mund të çonte në masën e shkarkimit nga detyra, dhe duhet të merret në konsideratë në vlerësimin tërësor i çështjes nga Kolegji. Z. Braho deklaroi se konkluzionet e mësipërme, do të rivlerësohen pas shqyrtimit të provave dhe sqarimeve të subjektit të rivlerësimit gjatë procesit në Kolegj.
Në përfundim, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 724, datë 13.12.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Arben Agovi.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit, ndërsa dha shpjegime të detajuara lidhur me shkaqet e ankimit, deklaroi se ato janë formale dhe të pabazuara në aktet në dosje dhe se veprimet e ndërmarra nga subjekti i rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës janë të rregullta dhe të plota, çka vërtetohet edhe nga vendimet gjyqësore të çështjeve respektive. Përfaqësuesi ligjor kundërshtoi qëndrimin e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, pasi sipas tij, nuk është shkak ankimi i qenësishëm, i bazuar në prova. Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 724, datë 13.12.2023.
Lidhur me denoncimet e publikut, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se ato nuk përmbajnë të dhëna me rëndësi për çështjen. Subjekti i rivlerësimit ndau të njëjtin qëndrim me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.
Pasi dëgjoi qëndrimet e palëve, trupi gjykues vendosi të mos çelë hetim për denoncimet, pasi nuk përmbushin kërkesat e nenit 53 të ligjit 84/2016.
Për t’u dhënë kohë të arsyeshme palëve për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 4.11.2025, ora 13:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.