Tiranë, më 4.11.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 4.11.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.724, datë 13.12.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Arben Agovi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se vërehen mangësi të aftësive të prokurorit, kryerje e hetimeve të paplota e në tejkalim të afateve, por jo në nivel të tillë që të kenë ndikuar në zgjidhjen e çështjes. Z. Klodjan Braho deklaroi sa i takon kriterit të vlerësimit të pasurisë, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit, pamjaftueshmëria financiare e konstatuar në mbulimin me burime të ligjshme të pasurisë, nuk është e tillë që do të mund të çonte në masën e shkarkimit nga detyra. Sa më sipër, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi përfundimisht Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 724, datë 13.12.2023, pezullimin nga detyra për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit deklaroi se gjatë procesit të zhvilluar në Kolegj, subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet shpjegimeve bindëse e shteruese vërtetoi se veprimet hetimore të ndërmarra prej tij jo vetëm kanë qenë të plota dhë në kohën e duhur, por vendimtare për zgjidhjen e drejtë të çështjeve.

Përfaqësuesi ligjor deklaroi se duke marrë parasysh që në ankim nuk evidentohen mangësi konkrete dhe shkaqe të mjaftueshme që do të ndikonin në një vlerësim jo pozitiv për subjektin e rivlerësimit, i kërkoi përfundimisht Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 724, datë 13.12.2023.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 12.11.2025, ora 9:30.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF