Tiranë, më 13.11.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 13.11.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.739, datë 26.2.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës

Gjatë verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi praninë e subjektit të rivlerësimit, Mimoza Margjeka, ndërsa bëri me dije se përfaqësuesja e saj ligjore i kishte drejtuar një kërkesë Kolegjit, përmes të cilës, kërkonte shtyrjen e seancës gjyqësore për shkak të pamundësisë objektive për të marrë pjesë dhe për të realizuar procesin e mbrojtjes.

Në qëndrimin e tij lidhur me këtë kërkesë, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, z. Xholi shprehu dakordësinë për pranimin e kërkesës, nëse subjekti i rivlerësimit e konsideron të rëndësishme praninë e përfaqësueses ligjore.

Pasi trupi gjykues dëgjoi qëndrimin e subjektit të rivlerësimit dhe e çmoi të domosdoshme praninë e përfaqësueses ligjore në procesin e mbrotjes, vendosi të pranojë kërkesën dhe të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 15.12.2025, ora 13:00, për t’i dhënë mundësi, znj. Margjeka të realizojë mbrojtjen e saj, duke shmangur zvarritjen e gjykimit të çështjes.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF