27.4.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 183, datë 19.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Petrit Çano, prokuror/Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, subjekti i rivlerësimit parashtroi para trupit gjykues kërkesën për kthimin e ankimit, duke ngritur pretendime për afatet ligjore.
Trupi gjykues, pasi u shpreh se nuk ishte njohur më parë me këtë kërkesë dhe konfirmoi edhe nga Komisioneri Publik se edhe ai nuk kishte dijeni rreth këtij pretendimi, u tërhoq në dhomë këshillimi dhe, në referencë të nenit 450/c, të Kodit të Procedurës Civile, nuk e pranoi kërkesën për kthimin e ankimit.
Komisioneri Publik, nga ana e tij, u qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit, duke kërkuar nga Kolegji administrimin e dokumentacionit shtesë nga disa institucione, si dhe analizimin e mundësive financiare të subjektit të rivlerësimit për krijimin e pasurive, të referuara në ankim.
Komisioneri Publik, pas parashtrimit të disa rrethanave të reja, lidhur me aftësitë profesionale, kërkoi çeljen e hetimit për të tria kriteret e rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit, përmes avokatit, në prapësim të shkaqeve të ankimit dhe pretendimeve të ngritura në denoncimet nga publiku, kërkoi administrimin e disa provave shkresore.
Lidhur me rrethanat e reja, të parashtruara nga Komisioneri Publik, për kriterin e aftësive profesionale, pala mbrojtëse pretendoi se hetimi i tyre është kompetencë e institucioneve të reja të drejtësisë.
Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore më datë 14.5.2021, ora 10:30, për t’u shprehur lidhur me kërkesat e palëve për çeljen e hetimit gjyqësor dhe administrimin e provave.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF