14.5.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 183, datë 19.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Petrit Çano, prokuror/Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë.

Në vijim të seancës paraardhëse, gjatë së cilës Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit dhe kërkoi çeljen e hetimit gjyqësor, ndërsa subjekti i rivlerësimit, në prapësim të ankimit, kërkoi administrimin e provave të reja, trupi gjykues, pasi u këshillua, me vendim të ndërmjetëm, vendosi:

  • Të deklarojë të hapur hetimin gjyqësor të çështjes, bazuar në nenin F, pika 3 e aneksit të Kushtetutës, si dhe në nenet 41, 43 dhe 45 të ligjit nr. 84/2016.
  • Të lejojë marrjen e provave të reja, të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit në seancën e datës 27.4.2021, bazuar në nenin 49, pika 1 e ligjit nr. 84/2016.
  • Në funksion të hetimit gjyqësor, të kërkojë dokumentacion dhe informacione shtesë nga këto institucione: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë, Gjykata e Shkallës së Parë, Krujë dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).
  • Të hetojë dhe të verifikojë, në zbatim të nenit 53 të ligjit nr. 84/2016, denoncimin e depozituar në KPA, duke kërkuar të dhëna nga: Agjencia Shtetërore e Kadastrës Gjirokastër, Drejtoritë e Ujësjellës-Kanalizimeve Gjirokastër, Vlorë e Lushnjë.

Në pritje të administrimit të këtij dokumentacioni, trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore më datë 3.6.2021, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF