2.6.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 190, datë 26.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Ramiz Lala, me detyrë gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër.
Kryesuesi i trupit gjykues informoi se subjekti i rivlerësimit kishte depozituar, pranë Kolegjit, prapësimet dhe provat në funksion të hetimit të shkaqeve të ankimit, me të cilat ishin njohur edhe Komisioneri Publik dhe vëzhguesi i ONM-së, si palë në proces, duke i bërë të ditur subjektit të rivlerësimit se aktet e cituara nuk ishin marrë në shqyrtim, pasi ato duhet të paraqiteshin proceduralisht në seancë publike.
Pas këtij referimi, kryesuesi i seancës ftoi palët të paraqisnin, sipas procedurës, parashtrimet e shkaqeve të ankimit dhe prapësimet mbi to.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar gjetjeve në ankim, parashtroi nevojën e hetimit mbi pretendimet e ngritura në denoncimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për mungesë të aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit, në gjykimin e dy çështjeve, duke kërkuar nga Kolegji administrimin e fashikujve të plotë të tyre.
Duke sqaruar se vlerësimi i kriterit të pasurisë, në rastin konkret, është parë i lidhur me vlerësimin e kriterit të aftësisë profesionale, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji rivlerësimin e zërave të analizës financiare, për vitet 2011 dhe 2014 – 2016, pasi subjekti i rivlerësimit rezulton me balancë negative.
Subjekti i rivlerësimit, nga ana e tij, prapësoi pretendimet e ngritura në denoncimin e referuar nga Komisioneri Publik dhe kërkoi nga Kolegji administrimin e provave në funksion të shkaqeve të ankimit.
Pas administrimit të provave, trupi gjykues i kërkoi Komisionerit Publik qëndrimin e tij rreth përmbajtjes së tyre.
Komisioneri Publik, në konsideratë të trajtimit të prapësimeve, të subjektit të rivlerësimit, në raport me shkaqet e ankimit, u qëndroi argumenteve të paraqitura për shkaqet dhe kërkimin e ankimit të tij.
Trupi gjykues, pasi u konsultua lidhur me kërkesën e Komisionerit Publik, bazuar në nenin F, pika 3 e aneksit të Kushtetutës dhe në nenet 45 dhe 49 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me vendim të ndërmjetëm, vendosi t’i kërkojë dokumentacion shtesë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër dhe Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, për aq sa nevojitet për hetime të mëtejshme, mbi procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit.
Trupi gjykues vendosi, gjithashtu, t’i kërkojë Njësisë së Shërbimit Ligjor, pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kryerjen e analizës financiare për subjektin e rivlerësimit, për vitet 2011, 2014, 2015 dhe 2016.
Në funksion të zbatimit, të këtij vendimi të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore për në datën 22.6.2021, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.