3.6.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 183, datë 19.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Petrit Çano, prokuror/Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë.
Në vijim të seancës paraardhëse, Kryesuesja e trupit gjykues konfirmoi marrjen e akteve, të kërkuara, sipas vendimit të ndërmjetëm, dhe përcjelljen e tyre për njohje te palët pjesëmarrëse në gjykim. Ajo theksoi se, për shkak të klasifikimit dokument “sekret”, subjektit të rivlerësimit nuk mund t’i përcillej Raporti, i dërguar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).
Pas administrimit të akteve të mësipërme, trupi gjykues kërkoi qëndrimin e palëve për provueshmërinë e tyre.
Në parashtrim të këtij qëndrimi, Komisioneri Publik referoi se, në aktet e administruara nga Kolegji, verifikohet se nuk ka elemente, që provojnë se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit. Komisioneri Publik u shpreh se nuk provohen as pretendimet e ngritura në denoncimin e administruar në Kolegj.
Në citim të raportit të DSIK-së, Komisioneri Publik risolli në vëmendjen e trupit gjykues se Raporti konfirmon kërkimin e tij në ankim. Ndërsa lidhur me kontrollin e aftësive profesionale, Komisioneri Publik parashtroi se, nga aktet e përcjella nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë rezulton se ankimet e kësaj Prokurorie janë në nivel të ulët në raport me vendimet e pranimit nga Gjykata.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit i paraqiti trupit gjykues kërkesë paraprake për të prapësuar kërkimin e Komisionerit Publik, për kriterin e aftësive profesionale, me pretendimin se nuk është referuar në ankim, por gjatë shqyrtimit të çështjes në Kolegj dhe se kompetencën për të proceduar për një kërkim të tillë e kishte vetëm ILD-ja.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit, në referim të akteve që lidheshin kryesisht me kriterin e aftësive profesionale, kërkoi administrimin e provave të reja, në prapësim të gjetjeve të Komisionerit Publik.
Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të lejojë marrjen në cilësinë e provës të akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, në seancën e sotme, si dhe të kërkojë informacion pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë, për mënyrën e vendimmarrjes në çështjet e referuara në shkresën e dërguar në Kolegj dhe kohën e parashtrimit të ankimeve, nga Prokuroria pranë kësaj Gjykate. Trupi gjykues kërkoi, gjithashtu, nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) të plotësojë Raportin e kontrollit të figurës për subjektin e rivlerësimit.
Në pritje të administrimit të akteve të mësipërme, trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën më datë 9.7.2021, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.