21.6.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj, me funksion prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues informoi se subjekti i rivlerësimit i kishte përcjellë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit disa akte të reja, në funksion të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik, të cilat u janë komunikuar si Komisionerit Publik, ashtu edhe vëzhguesit të ONM-së.
Pas konfirmimit të palëve se ishin njohur me aktet e sipërcituara, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit dhe subjektin e rivlerësimit në paraqitjen e prapësimeve.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit dhe në konsideratë edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, çmoi se vendimi nr. 200/2019, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme për t’iu nënshtruar juridiksionit rivlerësues dhe kontrollues nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Komisioneri Publik, me kërkesë të trupit gjykues, referoi qëndrimin e tij edhe për denoncimet nga publiku, për të cilat u shpreh se nuk përmbajnë të dhëna që tejkalojnë shkaqet e ankimit.
Subjekti i rivlerësimit, në prapësimet e tij, pretendoi të kundërtën e Komisionerit Publik, për sa u përket shkaqeve të ankimit për kriterin e aftësive profesionale. Ndërsa përfaqësuesja e tij ligjore referoi prapësimet për gjetjet në ankim, që lidheshin me kriterin e pasurisë dhe, në funksion të kërkesës për riçelje të hetimit gjyqësor, depozitoi në seancë akte shtesë.
Për t’i lënë kohë të mjaftueshme Komisionerit Publik të shprehet lidhur me aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore për në datën 6.7.2021, ora 12:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF