9.7.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 183, datë 19.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Petrit Çano, prokuror/Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë.
Në fillim të seancës, kryesuesja e trupit gjykues njoftoi depozitimin në Kolegj dhe përcjelljen e tyre palëve pjesëmarrëse në gjykim, të akteve që ishin kërkuar pranë institucioneve përkatëse, në zbatim të vendimit të marrë në përfundim të seancës paraardhëse, në funksion të hetimit të shkaqeve të ankimit, së bashku me një ankesë nga publiku, dërguar rishtazi pranë Kolegjit.
Në vijim, pasi u njoftua vendimi për administrimin e akteve të depozituara në funksion të hetimit gjyqësor, palët pjesëmarrëse në gjykim paraqitën parashtrimet në lidhje me përmbajtjen e akteve.
Komisioneri Publik, referuar raportit të përditësuar të DSIK-së, deklasifikuar pjesërisht, në lidhje me rivlerësimin e kriterit të figurës dhe ndryshimin e përcaktimit të këtij raporti nga ai fillestar, për subjektin e rivlerësimit, kërkoi verifikimin e të dhënave në burim dhe eventualisht ballafaqimin e të dhënave me praktikat përkatëse dhe ecurinë procedurale të tyre. Për të dhënat statistikore të përcjella nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë, në lidhje me ushtrimin e ankimit nga ana e Prokurorisë, për vendimet e marra mbi bazën e kërkesave gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve penale, Komisioneri Publik, pasi konstatoi nivelin e ulët të tyre në raport me numrin e kërkesave të pranuar nga Gjykata, rezervoi të drejtën të shprehej, pasi të njihej me qëndrimin e subjektit të rivlerësimit. Lidhur me ankesën e paraqitur nga publiku rishtazi në Kolegj, nisur nga fakti që vetë ankuesi i ishte drejtuar njëkohësisht ILD-së, KLP-së dhe Kolegjit, kërkoi paraprakisht vendimmarrjen e trupit gjykues në lidhje me administrimin e kësaj ankese.
Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesi në parashtrimet e tyre pretenduan pabazueshmërinë e informacioneve dhe të përfundimit të arritur në Raportin e DSIK-së për kontrollin e figurës, si dhe ripërsëritën se u qëndrojnë parashtrimeve të mëparshme në lidhje me rolin procedural të subjektit të rivlerësimit, në trajtimin e kërkesave të paraqitura në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale. Subjekti i rivlerësimit parashtroi edhe pretendimet e tij në lidhje me ankesën e paraqitur nga publiku, duke e cilësuar atë si tendencioze në këtë fazë të gjykimit dhe kërkoi administrimin e disa provave shkresore për përmbajtjen e ankesës.
Pasi u tërhoq për vendim, në vijim të seancës gjyqësore, kryesuesja njoftoi vendimin e trupit gjykues për të verifikuar, bazuar në procedurat përkatëse, të dhënat që përmban Raporti i përditësuar i DSIK-së, marrjen e informacionit nga struktura përkatëse për statusin aktual të trajtimit të këtyre të dhënave, si dhe mosvijimin me hetimin e ankesës së depozituar në Kolegj, pasi trupi gjykues konstatoi se nuk përmbanin fakte dhe rrethana, të tilla që parashikon ligji nr. 84/2016.
Për të marrë kohën e nevojshme për kryerjen e veprimeve procedurale të lartpërmendura, trupi gjykues, në përfundim, vendosi shtyrjen e seancës më datë 21.7.2021, ora 11:30.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.