21.7.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 374, datë 23.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Shkëlqim Miri, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesi i seancës konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit, për të cilin konfirmoi se, edhe pse kishte marrë dijeni për zhvillimin e seancës, nuk kishte paraqitur ndonjë shkak ligjor për pamundësinë e pjesëmarrjes së tij.
Pasi u njoh me qëndrimin e Komisionerit Publik, trupi gjykues vendosi të vazhdojë shqyrtimin gjyqësor në mungesë të subjektit të rivlerësimit.
Komisioneri Publik paraqiti një kërkesë paraprake para trupit gjykues, përmes së cilës kërkoi që ankimi kundër vendimit nr. 374, datë 23.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit z. Shkëlqim Miri, të shqyrtohej pasi Kolegji të ketë gjykuar çështjen, e cila lidhet me ankimin që ai kishte ushtruar ndaj vendimit nr. 316, datë 17.11.2021, që i përket subjektit të rivlerësimit z. Ibrahim Hoxha, ku ndër të tjera i kërkohet Kolegjit të orientojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme.
Trupi gjykues, pas konsultimit, rrëzoi kërkesën e Komisionerit Publik, si të pabazuar në ligj.
Në vijim, Komisioneri Publik, me kërkesë të kryesuesit të seancës, parashtroi shkaqet e ankimit, duke i qëndruar kërkimit të tij, që vendimi nr. 374, datë 23.4.2021, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Shkëlqim Miri, të merret në shqyrtim nga ana e Kolegjit dhe, në zbatim të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, të vendosë, në mënyrë alternative, ndryshimin e pikës 1 të dispozitivit të vendimit ose lënien në fuqi të tij.
Trupi gjykues, pasi mori konfirmimin e Komisionerit Publik se nuk kishte kërkesë tjetër procedurale, vendosi t’i japë fund hetimit gjyqësor dhe e ftoi atë në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare në seancën e radhës, që do të zhvillohet më datë 8.9.2021, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF