29.7.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besim Hajdarmataj, me funksion prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Kryesuesja e seancës bëri me dije se trupi gjykues, pasi mbylli shqyrtimin gjyqësor në seancën e datës 16.7.2021 dhe u tërhoq për vendimmarrje lidhur me çështjen, gjatë bisedimeve, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të revokojë vendimin e ndërmjetëm të datës 16.7.2021, për mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ta riçelë atë, për t’i kërkuar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një shkresë të përcjellë nga Vodafone Albania, të datës 26.4.2019, që lidhet me komunikimet telefonike të një prej numrave në posedim të subjektit të rivlerësimit.

Për këtë arsye, seanca gjyqësore do të shtyhet për në datën 3.8.2021, ora 9:00, ku palët do të paraqesin qëndrimet e tyre lidhur me dokumentin, nëse do t’u jetë vënë në dispozicion, paraprakisht, nga Kolegji.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF