3.8.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besim Hajdarmataj, me funksion prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Kryesuesja e trupit gjykues, gjatë verifikimit të prezencës së palëve, bëri me dije se, në zbatim të vendimit të ndërmjetëm, të seancës paraardhëse, të dhënat e kërkuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) u ishin përcjellë palëve në proces dhe i ftoi këta të fundit në paraqitjen e qëndrimeve të tyre.

Komisioneri Publik paraqiti qëndrimin e tij në lidhje me përmbajtjen e të dhënave të sipërcituara.

Në vijim, në përgjigje të pyetjeve të adresuara nga trupi gjykues dhe përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit, Komisioneri Publik u qëndroi shkaqeve të ankimit dhe kërkimit të bisedimeve përfundimtare, të parashtruara në seancën e datës 16.7.2021.

Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimet e Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit, e deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë nesër, më datë 4.8.2021, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF