8.9.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 374, datë 23.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Shkëlqim Miri, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesi i seancës konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit, për të cilin konfirmoi se kishte marrë dijeni për zhvillimin e seancës dhe se nuk kishte paraqitur ndonjë shkak të arsyeshëm për mospjesëmarrjen e tij.
Pasi u njoh me qëndrimin e Komisionerit Publik, trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të vazhdojë seancën me paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, në mungesë të subjektit të rivlerësimit.
Komisioneri Publik, në bisedimet e tij përfundimtare, u qëndroi shkaqeve të ankimit dhe kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshimin e pikës 1 të dispozitivit të vendimit nr. 374, datë 23.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke e kategorizuar procesin e rivlerësimit të z. Shkëlqim Miri si çështje të papërfunduar për efekt të juridiksionit të rivlerësimit. Po ashtu, Komisioneri Publik, referuar pikës 2, të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, kërkoi që Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në arsyetimin e vendimit të tij, të orientojë Komisionin për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme.
Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të Komisionerit Publik, vendosi të deklarojë të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit përfundimtar do të mbahet më datë 16.9.2021, ora 13:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.