30.9.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 286, datë 4.8.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Genti Shala, magjistrat/gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, me kërkesë të kryesuesit të trupit gjykues, Komisioneri Publik, z. Darjel Sina, paraqiti parashtrimet e ankimit të ushtruar nga Komisioneri Publik, z. Florian Ballhysa, i cili kishte njoftuar pamundësinë e pjesëmarrjes së tij në seancë.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të riçelë hetimin gjyqësor për dy çështje të reja, të pahetuara dhe të paarsyetuara më parë, gjatë vendimit të Komisionit, të cilat parashtrohen në përmbajtje dhe janë pjesë e Rekomandimit të ONM-së, përkatësisht: një denoncimi të ardhur në adresë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, në datën 10.11.2020, në lidhje me pronësinë e subjektit të rivlerësimit në një shoqëri ndërtuese, dhe një kontrate huaje të vitit 2015, pasqyruar në regjistrin noterial, administruar nga Ministria e Drejtësisë.
Në vijim të kërkimit të ankimit, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues administrimin e plotë të praktikave dokumentare për dy çështjet e sipërcituara.
Subjekti i rivlerësimit, nga ana e tij, prapësoi pretendimet e ngritura në denoncim, duke i cilësuar të rreme dhe dezinformuese, ndërsa për aktin noterial pretendoi për një gabim teknik në regjistrin noterial, duke theksuar se bëhej fjalë për një kontratë huaje për përdorimin e një automjeti në vitin 2015, gjatë një udhëtimi familjar jashtë vendit.
Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të riçelë hetimin gjyqësor dhe, në funksion të tij, të administrojë aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, si dhe të kërkojë aksesimin dhe administrimin e drejtpërdrejtë të të gjitha dokumenteve dhe akteve në Regjistrin Tregtar të Qendrës Kombëtare të Biznesit. Trupi gjykues vendosi, gjithashtu, të administrojë praktikën dokumentare për aktin noterial, të referuar në ankim, si dhe të mos hetojë lidhur me tri denoncime të depozituara në Kolegj.
Në vijim, pas përgjigjes së Komisionerit Publik, referuar pyetjeve të drejtuara nga një anëtar i trupit gjykues, ky i fundit vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare në seancën e datës 7.10.2021, ora 14:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF