1.10.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Sokol Ngresi, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues informoi palët në proces për procedurën e ndjekur në komunikimin me Institutin e Policisë Shkencore, për caktimin e dy ekspertëve kriminalistë, që do të kryejnë ekspertimin e akteve origjinale, të depozituara në Kolegj, si dhe komunikoi vendimin e trupit gjykues për caktimin e tyre si ekspertë kriminalistë në proces.

Në vijim, Komisioneri Publik, z. Darjel Sina, parashtroi mendimin e Komisionerit Publik, ushtrues të ankimit, z. Florian Ballhysa, për të shtruar për trajtim çështjen, nëse në aktet origjinale të administruara nga trupi gjykues, në seancën e datës 9.9.2021, nënshkrimi poshtë rekuizitës së emrit me shkronja të printuara: “Sokol Ngresi”, është ose jo nënshkrimi origjinal i subjektit të rivlerësimit.

Edhe subjekti i rivlerësimit, nga ana e tij, parashtroi kërkesat për aktin e ekspertimit.

Ndërsa ekspertët kriminalistë të Institutit të Policisë Shkencore, me kërkesë të një anëtari të trupit gjykues, shpjeguan procedurën dhe kohëzgjatjen e këtij procesi.

Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi t’u caktojë ekspertëve kriminalistë detyrat për kryerjen e aktit të ekspertimit të akteve origjinale, të administruara në Kolegj, duke u vënë në dispozicion këto akte, si dhe dokumente shtesë, që Kolegji do të kërkojë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë dhe ILDKPKI-së. Trupi gjykues vendosi, gjithashtu, që subjekti i rivlerësimit, në prani të ekspertëve kriminalistë, të nënshkruante “modelet eksperimentale” dhe njoftoi se seanca e radhës do të mbahet më datë 8.11.2021, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF