20.12.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 221, datë 10.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Anita Jella, me funksion prokurore/Drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi subjektin e rivlerësimit në parashtrimin e qëndrimeve lidhur me denoncimet e depozituara në Kolegj, si dhe pyetjet që iu adresuan në seancën paraardhëse.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë qëndrimit të saj, kundërshtoi pretendimet e parashtruara në denoncimet nga publiku dhe, për të provuar të kundërtën e tyre, depozitoi në Kolegj akte të reja. Ndërsa lidhur me pyetjet e adresuara nga gjyqtarja relatore e çështjes, subjekti i rivlerësimit pretendoi se tejkalojnë ankimin e Komisionerit Publik dhe se të njëjtave pyetje iu kishte dhënë përgjigje shteruese edhe gjatë hetimit administrativ në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Në vijim, kryesuesja e seancës kërkoi qëndrimin e Komisionerit Publik mbi parashtrimet e subjektit të rivlerësimit në seancën paraardhëse, si dhe denoncimet nga publiku, të depozituara rishtazi në Kolegj.

Komisioneri Publik, në qëndrimin e tij, vlerësoi se parashtrimet e subjektit të rivlerësimit dhe aktet bashkëlidhur nuk paraqesin rrethana të ndryshme nga sa është hetuar dhe dokumentuar nga ana e Komisionit gjatë hetimit administrativ dhe sa është parashtruar nga Komisioneri Publik në shkaqet e ankimit, për të cilat, në analizë tërësore të provave të administruara, në konsideratë dhe të Rekomandimit të ONM-së, vlerësohen si të mjaftueshme për të arritur në një konkluzion përfundimtar, se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Lidhur me denoncimet, Komisioneri Publik u shpreh se ato nuk përmbajnë fakte dhe rrethana për trajtim të mëtejshëm, duke e lënë në çmimin e gjykatës vendimmarrjen.

Trupi gjykues, pas konsultimit, administroi në cilësinë e provës aktet e reja, të dorëzuara në seancë nga subjekti i rivlerësimit dhe vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 10.1.2022, ora 10:00, për të marrë vendim lidhur me denoncimet e depozituara në Kolegj.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF