7.2.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 221, datë 10.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Anita Jella, me funksion prokurore/Drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se, në përgjigje të kërkimit të trupit gjykues, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës kishte dërguar në Kolegj informacionin për çështjet penale të shqyrtuara nga subjekti i rivlerësimit gjatë periudhës 2018-2021, që lidheshin kryesisht me ndërtimet e paligjshme, dhe se ky informacion u ishte bërë i njohur edhe palëve në gjykim.

Komisioneri Publik konfirmoi se ishte njohur me përmbajtjen e shkresës së mësipërme dhe se ishte dakord për administrimin e saj për efekt të gjykimit.

Ndërsa subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk e kishte marrë ende shkresën nga Kolegji dhe, pasi kryesuesja e seancës lexoi përmbajtjen e saj, subjekti i rivlerësimit theksoi se, për shkak të funksionit dhe ngarkesës së punës, kishte hetuar vetëm mbi 1 çështje të regjistruar në atë periudhë, ashtu siç thuhej edhe në shkresën e Prokurorisë.

Në vijim, trupi gjykues, i konsultuar ne vend, vendosi të administrojë në cilësinë e provës përgjigjen e dërguar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës dhe të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes, duke i ftuar palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Gjatë bisedimeve përfundimtare, Komisioneri Publik iu qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve në seancat gjyqësore, dhe në konsideratë të Rekomandimit të ONM-së  vlerësoi se provat dhe pretendimet e parashtruara nga subjekti i rivlerësimit nuk arritën të provojnë të kundërtën e shkaqeve të ankimit. Në përmbyllje të parashtrimeve të tij, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 221, datë 10.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Anita Jella.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e saj, prapësoi të gjitha shkaqet e ankimit, duke pretenduar se, në rastin e saj, Komisioneri Publik dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk kishin zbatuar Kushtetutën dhe se nuk kishin ndjekur sipas saj të njëjtin standard gjatë procesit të rivlerësimit.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare, u tërhoq në dhomë këshillimi, duke njoftuar se vendimi përfundimtar do të shpallet më datë 15.2.2022, ora 9:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF