30.3.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, me funksion prokurore/Drejtuese në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, subjekti i rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj kërkoi të përfaqësohet në këtë gjykim nga një avokat i Dhomës së Avokatisë së Strasburgut, Francë. Trupi gjykues, pas konsultimit, bazuar në nenin 96 dhe 176 të Kodit të Procedurës Civile, si dhe në nenin 23, pika 1 dhe 4 e ligjit nr. 55/2018, “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, vendosi të legjitimojë avokatin e subjektit të rivlerësimit.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të parashtruara në ankim, kërkoi që gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtarë të vlerësohen nga Kolegji në cilësinë e provës, përsa përmbajnë, në vlerësimin tërësor të çështjes, bazuar në parashikimet e pikës 2, nenit 4 dhe pikës 5, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016 dhe, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit znj. Elizabeta Imeraj.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve të shkaqeve të ankimit, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit riçeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen si provë të akteve të reja të depozituara në mbështetje të pretendimeve të saj gjatë seancës së sotme gjyqësore.

Për shkak të kohëzgjatjes së seancës, trupi gjykues vendosi ta shtyjë atë për ditën e nesërme, më datë 31 mars 2022, ora 12:30, ku do të vijohet me prapësimet e subjektit të rivlerësimit, lidhur me kriterin e vlerësimit të figurës.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF