21.4.2022
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 344, datë 11.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Marinela Osmani (Nuni), magjistrate/gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë (në momentin e dhënies së vendimit, me detyrë Këshilltare Ligjore në Njësinë Mbështetëse të Komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësor).
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi se Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit kishin depozituar në Kolegj parashtrimet dhe, pasi mori konfirmimin se palët ishin njohur me pretendimet e njëri-tjetrit, i ftoi që t’i parashtrojnë edhe në seancën publike.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të parashtruara në ankim, kërkoi që Kolegji i Posaçëm i Apelimit t’i marrë ato në konsideratë dhe, në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë në mënyrë alternative lënien në fuqi të vendimit nr. 344, datë 11.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose ndryshimin e tij.
Subjekti i rivlerësimit, në prapësim të shkaqeve të ankimit, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin e saj në detyrë.
Trupi gjykues, pasi dëgjoi parashtrimet e Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit, si dhe pasi u njoh me qëndrimet e tyre, se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor, duke i ftuar palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare në seancën e datës 11.5.2022, ora 9:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF