24.5.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 344, datë 11.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Marinela Osmani (Nuni), magjistrate/gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë (në momentin e dhënies së vendimit, me detyrë Këshilltare Ligjore në Njësinë Mbështetëse të Komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësor).

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, gjatë bisedimeve përfundimtare, parashtroi se në shkaqet e ankimit të paraqitur, bazuar dhe në Rekomandimin e ONM-së, ka vlerësuar të nevojshme, që lidhur me zbatimin e parimit të objektivitetit dhe të proporcionalitetit, bazuar në nenin 66/2, të ligjit nr. 84/2016, Kolegji t’i rekomandojë Komisionit parime udhëzuese, në formën e një orientimi, për subjektet e rivlerësimit, të cilët janë persona të lidhur me subjekte të tjerë rivlerësimi.                       

Në përmbyllje, pas vlerësimit tërësor të të gjitha provave, të administruara dhe të rikonfirmuara gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, Komisioneri Publik i kërkoi trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit nr. 344, datë 11.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Marinela Osmani (Nuni), duke arsyetuar në vendimin e tij edhe orientimin, që duhet të ketë KPK-ja mbi zbatimin e parimeve udhëzuese për raste të ngjashme, për subjektet e rivlerësimit, të cilët janë persona të lidhur me subjekte të tjerë rivlerësimi.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit, në prapësim të shkaqeve të ankimit, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke argumentuar se ai është marrë në përputhje me parashikimet e aneksit të Kushtetutës, ku përcaktohet zbatimi i parimit të proporcionalitetit, me qëllim që të vendoset një ekuilibër ndërmjet së drejtës për respektimin e jetës private, sipas nenit 8 të KEDNJ-së, dhe interesit të publikut, me qëllim rikthimin e interesit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi parashtrimet e Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit, si dhe pasi u njoh me qëndrimet e tyre, se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, u tërhoq në dhomë këshillimi, për të marrë vendimin përfundimtar, i cili do të shpallet më datë 27.5.2022, ora 13:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF