7.6.2022 

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 255, datë 8.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Ludovik Dodaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit kanë dorëzuar në Kolegj parashtrimet dhe, pasi mori konfirmimin se ishin njohur me pretendimet e njëri-tjetrit, kërkoi prej tyre nëse kishin kërkesa procedurale në nisje të shqyrtimit gjyqësor.

Komisioneri Publik u shpreh se nuk kishte kërkesë paraprake, ndërsa subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësueses ligjore, kërkoi çeljen e pjesshme të hetimit, në funksion të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik.

Në vijim, Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, parashtroi për shqyrtim, në mënyrë të përmbledhur, çështjet që lidhen me kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe kriterit të vlerësimit mbi etikën dhe angazhimin profesional të subjektit të rivlerësimit. Në përmbyllje të parashtrimeve të tij, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji që të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit dhe, në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 255, datë 8.6.2020, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Ludovik Dodaj.

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësueses ligjore, kundërshtoi gjetjet e ankimit dhe i kërkoi trupit gjykues administrimin e provave të reja në funksion të hetimit gjyqësor.

Trupi gjykues, i konsultuar në dhomë këshillimi, vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet e listuara nga përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit, në seancën e sotme gjyqësore. Trupi gjykues vendosi, gjithashtu, t’i kërkojë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, aktet e një dosje penale të vitit 2009.

Në vijim, Komisioneri Publik, me kërkesë të kryesueses së seancës, u shpreh se, për provat e administruara nga Kolegji, rezervonte të drejtën të shprehej pasi të administrohej edhe vendimi gjyqësor, i referuar në vendimin e ndërmjetëm të trupit gjykues.

Trupi gjykues, në pritje të administrimit të dosjes së vendimit gjyqësor nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 27.6.2022, ora 10:00, dhe ftoi palët të përgatiten edhe për paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF