22.6.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 393, datë 3.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, gjatë bisedimeve përfundimtare, u shpreh se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provonte të kundërtën e shkaqeve të ankimit dhe, bazuar edhe në Rekomandimin e ONM-së, i kërkoi trupit gjykues ndryshimin e vendimit nr. 393, datë 3.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Gerd Hoxha.

Subjekti i rivlerësimit, në prapësim të shkaqeve të ankimit dhe të kërkimeve përfundimtare të Komisionerit Publik, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit rikonfirmimin e tij në detyrë.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 6.7.2022, ora 16:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF