27.6.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 255, datë 8.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Ludovik Dodaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës informoi se Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit ishin njoftuar mbi aktet e përcjella nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës dhe, në kushtet kur palët nuk shprehën kërkesa të tjera procedurale, njoftoi se trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor, për të vijuar me paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, në qëndrimin e tij mbi provat e depozituara në seancën paraardhëse, u shpreh se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë. Referuar akteve të përcjella nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, Komisioneri Publik vlerësoi se nuk rezultoi që subjekti i rivlerësimit të ketë përfaqësuar akuzën gjatë gjykimit të asaj çështje penale dhe fazave të saj hetimore. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 255, datë 8.6.2020, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Ludovik Dodaj.

Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit pretendoi të kundërtën e kërkimeve përfundimtare të Komisionerit Publik dhe i kërkoi trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi, për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 14.7.2022, ora 13:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF