4.7.2022
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 491, datë 21.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Gjon Kodra, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se subjekti i rivlerësimit i ishte drejtuar Kolegjit me një kërkesë paraprake për çelje të pjesshme të hetimit gjyqësor. Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi ta shqyrtojë kërkesën pasi palët të parashtronin më parë pretendimet e tyre mbi ankimin.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të parashtruara në ankimin e tij, në konsideratë edhe të Rekomandimit të ONM-së, çmoi se vendimi nr. 491/2021 i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Në përmbyllje të parashtrimeve të tij, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji që, pas vlerësimit tërësor të çështjes, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 491/2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Gjon Kodra.
Subjekti i rivlerësimit nëpërmjet përfaqësuesit ligjor prapësoi shkaqet e ankimit të Komisionierit Publik dhe i kërkoi trupit gjykues që të administrojë prova të reja në funksion të çeljes së hetimit gjyqësor.
Trupi gjykues pas konsultimit, me vendim të ndërmjetëm, vendosi t’i kërkojë Komisionerit Publik që, deri më datë 12 korrik 2022, të ketë kryer analizën e plotë financiare për kriterin e pasurisë, për t’ia vënë në dispozicion më pas edhe subjektit të rivlerësimit. Po me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi çeljen e hetimit gjyqësor dhe administrimin në funksion të këtij hetimi të provave të reja të depozituara në Kolegj nga subjekti i rivlerësimit.
Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 18.7.2022, ora 10:00, dhe palët do të përgatiten edhe për bisedimet përfundimtare.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF