5.7.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 256, datë 12.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  znj. Etleva Deda, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se palët kanë depozituar në Kolegj parashtrimet dhe i ftoi të paraqesin pretendimet e tyre edhe në seancën gjyqësore.

Komisioneri Publik, në parashtrim të shkaqeve të ankimit, vlerësoi se, ndryshe nga sa ka vendosur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë, pasi gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm dhe të pasaktë për kontrollin e pasurisë. Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues marrjen në shqyrtim të shkaqeve të ankimit dhe, në përfundim, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 256, datë 12.6.2020, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Etleva Deda.

Subjekti i rivlerësimit, në parashtrimet e saj, pretendoi të kundërtën e shkaqeve të ankimit, duke kërkuar nga trupi gjykues riçeljen e hetimit, administrimin e provave të reja, të cilat ajo i kishte depozituar më parë në Kolegj dhe mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik.

Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, vendosi të çelë hetimin gjyqësor, duke administruar provat e reja në funksion të këtij hetimi, rrëzoi pretendimet në një denoncim nga publiku, si të pabazuar në kërkesat e dispozitës ligjore dhe, në kushtet kur palët nuk referuan kërkesa të tjera procedurale, kërkoi nga ata nëse ishin të gatshëm të kalonin në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, në qëndrimin e tij mbi provat e administruara, u shpreh se ato nuk ndikojnë në shkaqet e ankimit dhe se në bisedimet përfundimtare do të përsëriste të njëjtin qëndrim që mbajti gjatë parashtrimeve të shkaqeve të ankimit.

Edhe subjekti i rivlerësimit u shpreh se iu qëndronte prapësimeve dhe kërkesave të saj për konfirmimin në detyrë.

Në këto kushte, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 21.7.2022, ora 9:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF