18.7.2022
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 491, datë 21.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Gjon Kodra, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi se Komiisoneri Publik kishte depozituar në Kolegj analizën e plotë financiare për kriterin e pasurisë, sipas vendimit të ndërmjetëm të seancës paraardhëse dhe ftoi subjektin e rivlerësimit të parashtronte qëndirmin e tij.
Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, u shpreh se pasaktësitë në deklarimin e pasurisë, që kanë të bëjnë kryesisht me personin e lidhur nuk duhet të merren në konsideratë, dhe se konkluzioni i arritur nga Komisioni i Pavarur i Kulifikimit, sipas tij, është i drejtë dhe i bazuar në prova.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj pyetjeve të Vëzhguesit Ndërkombëtar lidhur me kriterin e kontrollit të figurës.
Pas konsultimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues kërkoi qëndrimin e palëve mbi denoncimet nga publiku, të depozituara në Kolegj.
Komisioneri Publik vlerësoi se nga përmbajtja, denoncimet e sipërcituara nuk përmbanin shkaqe që e bëjnë të nevojshëm hetimin. Ndërsa subjekti i rivlerësimit u shpreh se e linte në vlerësimin e gjykatës, hetimin ose jo të pretendimeve të ngitura në denoncimet nga publiku.
Trupi gjykues vendosi të verifikojë në burim, informacionin ku është bazuar gjetja e Vëzhguesit Ndërkombëtar dhe për këtë arsye njoftoi shtyrjen e seancës më datë 22.7.2022, ora 8:30.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF