22.7.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 491, datë 21.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Gjon Kodra, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi se trupi gjykues e kishte verifikuar në burim informacionin mbi të cilin është bazuar Gjetja e Vëzhguesit Ndërkombëtar dhe se, për këtë qëllim, kishte mbajtur edhe një procesverbal.

Në vijim, pasi palët u shprehën se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, parashtrimeve me shkrim të depozituara në seancë dhe në vlerësim të provave të administruara në kuadër të këtij gjykimi, vlerësoi gjatë bisedimeve përfundimtare se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit.

Për sa më sipër, duke konstatuar një sërë mangësish, për kriterin e pasurisë, ekzistencën e konfliktit të interesit së bashku me problematikat për kontrollin e figurës, bazuar në vlerësimin tërësor të çështjes, Komisoneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 491, datë 21.12.2021, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Gjon Kodra.

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, iu qëndroi prapësimeve dhe qëndrimeve të paraqitura në seancat paraardhëse, duke pretenduar të kundërtën e shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 27.7.2022, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF