13.9.2022
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 269, datë 1.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Valdete Hoxha, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues të informohej nëse ishte vendosur paraprakisht mbi kërkimin e ankimit për riçeljen e hetimit, me qëllim që ajo të depozitonte prova të reja.
Kryesuesja e seancës sqaroi se palët i kishin depozituar pretendimet e tyre në Kolegj dhe se seanca do të vijonte me parashtrimet e tyre.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të parashtruara në ankim, çmoi se vendimi nr. 269/2020, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu nënshtruar juridiksionit kontrollues nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, dhe kërkoi nga trupi gjykues riçeljen e hetimit gjyqësor dhe, eventualisht, administrimin e provave të nevojshme.
Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve të saj, pretendoi të kundërtën e shkaqeve të ankimit dhe, në funksion të riçeljes së hetimit, kërkoi administrimin e provave të reja.
Në vijim, kryesuesja e seancës kërkoi qëndrimin e palëve mbi denoncimet e depozituara në Kolegj.
Komisioneri Publik rezervoi të drejtën për t’u shprehur në seancën e ardhshme, ndërsa subjekti i rivlerësimit, duke kundërshtuar pretendimet në denoncim, u shpreh se çështjet e ngritura nuk qëndrojnë dhe se nuk përfshihen në shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik.
Gjyqtarja relatore e çështjes i drejtoi një grup pyetjesh subjektit të rivlerësimit dhe, pas qëndrimeve të saj mbi këto pyetje, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë, në cilësinë e provës, aktet e depozituara në Kolegj nga subjekti i rivlerësimit, së bashku me disa akte të tjera, që ishin administruar në fashikullin e Komisionit, por pa vulën apostile.
Seanca e radhës u shty më datë 23.9.2022, ora 9:00, për t’i dhënë kohë Komisionerit Publik për t’u shprehur mbi denoncimet nga publiku dhe që palët të përgatiten edhe për bisedimet përfundimtare.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF