13.12.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 257, datë 12.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Miranda Andoni, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit, duke konfirmuar njëkohësisht se palët në proces kishin depozituar më parë në Kolegj pretendimet e tyre mbi çështjen në shqyrtim.

Komisioneri Publik vlerësoi se, bazuar në aktet e administruara dhe rrethanat e çështjes, konstatohet se hetimi administrativ i kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, lidhur me kriterin e pasurisë dhe kriterin e aftësive profesionale, ka qenë i mangët. Në vijim, në parashtrim të kërkimit përfundimtar, mbështetur në parashikimet e nenit F, pika 3 e aneksit të Kushtetutës, dhe ligjit nr. 84/2016, Komisioneri Publik kërkoi që shkaqet e parashtruara në këtë ankim të merren në konsideratë nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke disponuar riçeljen e hetimit gjyqësor dhe eventualisht administrimin e provave të nevojshme.

Subjekti i rivlerësimit, në prapësim të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik, kërkoi nga trupi gjykues administrimin e provave të reja.

Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të riçelë hetimin gjyqësor dhe të marrë në cilësinë e provës aktet e përcjella nga subjekti i rivlerësimit, me përjashtim të një dokumenti, që nuk ishte dorëzuar në formën e kërkuar ligjore.

Në vijim, trupi gjykues, pasi mori konfirmimin e palëve se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor, duke kërkuar nga palët të parashtronin konkluzionet përfundimtare.

Për t’i dhënë kohën e mjaftueshme Komisionerit Publik për të përgatitur konkluzionet përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 19.12.2022, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF