13.2.2023
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 287, datë 4.8.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Anita Mici, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Durrës.
Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesi i seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në parashtrimin e bisedimeve përfundimtare.
Komisioneri Publik, gjatë bisedimeve përfundimtare, konkludoi se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë. Edhe për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale dhe vlerësimin tërësor, Komisioneri Publik çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit. Në përmbyllje të parashtrimeve të tij, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 287, datë 4.8.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Anita Mici.
Subjekti i rivlerësimit, nga ana e saj, pretendoi për të kundërtën e kërkimeve të Komisionerit Publik, duke i cilësuar si të pabazuara në prova, dhe i kërkoi trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit nr. 287, datë 4.8.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 23.2.2023, ora 15:30.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.