25.7.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 621, datë 13.2.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Erarbër Madhi, me detyrë gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se Komisionerja Publike, znj. Irena Nino, ushtruese e këtij ankimi, për shkaqe objektive e kishte të pamundur praninë e saj dhe se institucioni do të përfaqësohej edhe në këtë seancë nga Komisioneri Publik, z. Florian Ballhysa.

Në bisedimet përfundimtare, Komisioneri Publik iu qëndroi shkaqeve të paraqitura në ankim, bazuar në rekomandimin e ONM-së, të cilat lidhen me vlerësimin e kriterit të pasurisë, duke kërkuar në përfundim ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit pretendoi të kundërtën e Komisionerit Publik, duke kërkuar nga Kolegji lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 27.7.2023, ora 13:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF