4.10.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 595, datë 7.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Arbër Çela, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Shkodër.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e qëndrimit mbi provat e reja, që subjekti i rivlerësimit i dorëzoi në seancën e mëparshme, dhe për disa akte shtesë të depozituara në Kolegj.

Komisioneri Publik u shpreh se, nga verifikimi i dokumentacionit, rezulton se një pjesë e akteve  nuk ishin depozituar në formën e duhur ligjore dhe i kërkoi trupit gjykues mosadministrimin e tyre. Për pjesën tjetër të dokumentacionit, Komisioneri Publik shprehu dakordësinë për t’u administruar nga Kolegji, ndërsa qëndrimin për përmbajtjen e tyre do ta paraqesë gjatë bisedimeve përfundimtare. Komisioneri Publik parashtroi edhe qëndrimin mbi një denoncim nga publiku, duke e lënë në vendimmarrjen e Kolegjit nisjen ose jo të hetimit, pasi informacionet e përfshira në këtë denoncim nuk ndikonin në kërkimin përfundimtar të ankimit.

Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësuesit ligjor, dha shpjegime mbi aktet për të cilat Komisioneri Publik paraqiti objeksione.

Subjekti i rivlerësimit iu përgjigj më pas pyetjeve të drejtuara nga relatorja e çështjes dhe nga vëzhguesi ndërkombëtar.

Pas këshillimit, trupi gjykues vendosi të çelë shqyrtimin gjyqësor, të mos hetojë mbi denoncimin e debatuar në seancë dhe të administrojë dokumentacionin, për të cilin nuk pati objeksione, dhe e  shtyu seancën më datë 26.10.2023, ora 10:00, për t’i lënë kohë subjektit të rivlerësimit t’i sigurojë në formën e duhur ligjore aktet, që nuk u administruan në cilësinë e provës.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF