26.10.2023
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 595, datë 7.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Arbër Çela, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Shkodër.
Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës kërkoi qëndrimin e Komisionerit Publik mbi aktet e dorëzuara rishtazi në Kolegj nga subjekti i rivlerësimit, të cilat ishin kontestuar në seancën e mëparshme, për shkak se nuk ishin depozituar në formën e kërkuar ligjore.
Pas qëndrimit aprovues të Komisionerit Publik mbi këto akte, trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi t’i administrojë ato në cilësinë e provës dhe ftoi palët në parashtrimin e bisedimeve përfundimtare.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar parashtrimeve me shkrim, të depozituara në seancat e zhvilluara në Kolegj, pasi vlerësoi edhe aktet dhe provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit pas riçeljes së hetimit gjyqësor, konkludoi se nuk u arrit të provohet e kundërta e shkaqeve të ankimit për kriterin e pasurisë dhe atë të aftësive profesionale. Në përfundim të bisedimeve përfundimtare, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 595, datë 7.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Arbër Çela.
Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësuesit ligjor, kundërshtoi konkluzionet e Komisionerit Publik dhe kërkoi nga trupi gjykues rikonfirmimin në detyrë.
Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 3.11.2023, ora 9:30.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.