30.11.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 634, datë 10.3.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Naim Tota, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës vijoi procesin me paraqitjen e pretendimeve të tyre në seancë gjyqësore.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të parashtruara në ankim, evidentoi dhe parashtroi si çështje për gjykim, rrethana dhe fakte ligjore, për të cilat çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën lidhur me rezultatet e hetimit mbi kontrollin e kritereve të pasurisë dhe vlerësimit profesional. Në përmbyllje të parashtrimeve, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues që, pas shqyrtimit gjyqësor, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 634, datë 10.3.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Naim Tota.

Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesi i tij ligjor kundërshtuan gjetjet dhe kërkimin në ankim, duke kërkuar rikonfirmimin në detyrë dhe, në mbështetje të prapësimeve të tyre, depozituan në cilësinë e provës disa akte të reja.

Lidhur me dy denoncime të publikut të mbërritura pas ankimit, Komisioneri Publik edhe subjekti i rivlerësimit ndanë të njëjtin qëndrim, se denoncimet nuk përmbajnë fakte dhe rrethana të mjaftueshme për hetime të mëtejshme.

Trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të pranojë në cilësinë e provës, tri aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit në kuadër të çeljes së hetimit gjyqësor të çështjes. Lidhur me dy denoncimet e publikut, trupi gjykues vendosi të mos iu nënshtrohen hetimeve të mëtejshme, pasi nuk përmbushin kriteret e nenit 53 të ligjit nr. 84/2016.

Pasi palët në proces deklaruan se nuk kishin kërkesa procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe i ftoi të paraqesin konkluzionet përfundimtare, në seancën e datës 7.12. 2023, ora 12:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF