16.1.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 606, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Mariola Mërtiri, me funksion prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, në konsideratë edhe të Rekomandimit të ONM-së, evidentoi si çështje për gjykim, rrethana dhe fakte ligjore, për të cilat çmoi se subjekti i riverësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën lidhur me rezultatet e hetimit mbi kontrollin e pasurisë, aftësive profesionale dhe kontrollin e figurës. Në përmbyllje të parashtrimeve, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit dhe, në përfundim të hetimit tërësor të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 606, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Mariola Mërtiri.
Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e saj ligjore prapësuan shkaqet e ankimit dhe, në funksion të pretendimeve të tyre, kërkuan administrimin në cilësinë e provës të disa akteve, që kishin depozituar më parë në Kolegj. Në përfundim të prapësimeve të saj, subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë.
Në vijim, kryesuesja e seancës kërkoi qëndrimin e Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit mbi denoncimet e depozituara rishtazi në Kolegj.
Komisioneri Publik u shpreh se denoncimet e sipërcituara nuk përmbanin të dhëna apo fakte që mund të përbënin prova referuar kërkesave të nenit 53/1 të ligjit nr. 84/2016.
Subjekti i rivlerësimit referoi se qëndrimin e saj e kishte dhënë në parashtrimet e depozituara më parë në Kolegj.
Trupi gjykues, i konsultuar në dhomë këshillimi, vendosi të çelë hetimin gjyqësor, të administrojë në cilësinë e provës aktet e dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit dhe të mos hetojë mbi denoncimet e referuara gjatë seancës, për shkak se nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 53/1 të ligjit nr. 84/2016.
Pasi vëzhguesi ndërkombëtar adresoi pyetje për subjektin e rivlerësimit, që lidheshin me çështjet e referuara në shkaqet e ankimit, trupi gjykues mbylli hetimin gjyqësor dhe, pasi palët kërkuan kohë për përgatitjen me shkrim të bisedimeve përfundimtare, shtyu seancën më datë 23.1.2024, ora 9:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF