19.1.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 671, datë 14.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Ylli Bashaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, Komisioneri Publik parashtroi qëndrimin mbi Gjetjen dhe Opinionin e vëzhguesve ndërkombëtarë, të depozituar rishtazi në Kolegj.
Komisioneri Publik, lidhur me përmbajtjen e Gjetjes mbi parimin e proporcionalitetit dhe lidhjen e tij me Analizën financiare, vlerësoi se vëzhguesi ndërkombëtar ka dëshiruar të tërheqë vëmendjen e Kolegjit dhe të nënvizojë praktikat e ndryshme që tregojnë diferenca negative minimale, të cilat kanë çuar në shkarkimin nga detyra të subjekteve të rivlerësimit, bazuar në zbatimin e nenit 61, pika 3, të ligjit nr. 84/2016 (në vendimet e formës së prerë).
Lidhur me përmbajtjen e Mendimit për vlerësimin e pasurisë, Komisioneri Publik, në drejtim dhe të detyrave të lëna nga Kolegji, vlerëson se vëzhguesi ndërkombëtar, në këtë pikë të Mendimit, ka saktësuar qartë situatën faktike konkrete, duke mbështetur përfundimin e çmimit të blerjes së apartamentit në shumën prej 36.000 dollarë, si dhe ka vlerësuar se kjo situatë është parashtruar saktë në ankimin e Komisionerit Publik.
Në vijim, pasi palët nuk referuan kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe të shtyjë seancën më datë 26.1.2024, ora 12:00, për paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.