26.1.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Juljan Çafka, me funksion prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se në Kolegj janë depozituar disa denoncime, me përmbajtjen e të cilave, trupi gjykues nuk ishte njohur ende, ndërsa ftoi palët të paraqisnin qëndrimet e tyre mbi denoncimet e depozituara para nisjes së shqyrtimit gjyqësor të çështjes.
Komisioneri Publik vlerësoi nevojën e hetimit të mëtejshëm për një pjesë të denoncimeve të sipërcituara, duke sqaruar se ankesat nga publiku, të dorëzuara në Kolegj para depozitimit të ankimit, ishin trajtuar gjatë hetimit administrativ në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Në përmbyllje të qëndrimit të tij, Komisioneri Publik parashtroi se, për dy nga denoncimet nga publiku, gjendej në kushtet e pamundësisë për t’u shprehur mbi nevojën për hetim të mëtejshëm.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi rrethanat e ngritura në denoncime dhe, në funksion të prapësimeve të tij, depozitoi akte nga fashikujt e çështjeve të pretenduara nga denoncuesit.
Pas konsultimit, trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës, aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, gjatë seancës së sotme. Në funksion të hetimit të denoncimeve nga publiku, trupi gjykues vendosi të kërkojë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër aktet e dy dosjeve penale, ndërsa për denoncimet e paraqitura në Kolegj gjatë periudhës së përgatitjes së çështjes dhe ato të paraqitura në datën 18.1.2024, trupi gjykues nuk do të hetojë, pasi nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 53, të ligjit nr. 84/2016.
Në vijim, trupi gjykues vendosi t’ju përcjellë për njohje palëve 3 denoncime nga publiku, të depozituara rishtazi në Kolegj, dhe e shtyu seancën më datë 2.2.2024, ora 11:00, për paraqitjen e qëndrimeve mbi këto denoncime.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.