16.2.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 651, datë 27.4.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Urim Buci, me funksion prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Dibër.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi për depozitimin në Kolegj dhe përcjelljen për njohje tek palët të një denoncimi nga publiku.

Komisioneri Publik, me kërkesë të kryesueses së seancës, dha qëndrimin mbi ankesën e sipërcituar, duke vlerësuar se shkaqet e ankimit janë të mjaftueshme për kërkimin e bërë në ankim.

Subjekti i rivlerësimit u shpreh se nuk ishte e nevojshme të çelej hetim mbi këtë denoncim, duke referuar dhe depozituar më pas praktikën e çështjes së pretenduar në ankesë.

Trupi gjykues, pasi u tërhoq në dhomë këshillimi, vendosi të mos hetojë mbi denoncimin e depozituar rishtazi në Kolegj.

Seanca vijoi më pas më parashtrimet e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve të paraqitura në seancën e datës 8.2.2024, bazuar edhe në Rekomandimin e vëzhguesve ndërkombëtarë, vlerësoi se, edhe pas shqyrtimit të çështjes në Kolegj, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 651, datë 27.4.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Urim Buci.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve të tij, parashtroi se konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik nuk janë të bazuara dhe kërkoi nga trupi gjykues rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi, për shpalljen e vendimit përfundimtar më datë 26.2.2024, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF