23.2.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Juljan Çafka, me funksion prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se në Kolegj ishin depozituar aktet e kërkuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër, me të cilat ishin njohur edhe Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit.

Në vijim, trupi gjykues vendosi administrimin në cilësinë e provës, të akteve të sipërcituara, dhe ftoi palët në parashtrimin e qëndrimeve të tyre.

Komisioneri Publik paraqiti qëndrimin e tij për aktet në raport me shkaqet e ankimit dhe i kërkoi Kolegjit, që në referencë të gjetjeve të evidentuara, të vlerësojë nëse subjekti i rivlerësimit ka ndërmarrë veprime të plota hetimore në çështjet që ka trajtuar në cilësinë e prokurorit.

Subjekti i rivlerësimit, në mbështetje të pretendimeve se, në çdo çështje të referuar, hetimet ishin kryer të plota, dorëzoi akte të reja, për të cilat kërkoi të administrohen në cilësinë e provës dhe kërkoi kohë për të siguruar edhe akte shtesë.

Pas disa sqarimeve që relatorja u kërkoi palëve mbi qëndrimet e tyre, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 4.3.2024, ora 10:00, për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit të sigurojë aktet shtesë dhe, nëse e shikonte të arsyeshme, edhe të paraqiste me shkrim qëndrimin mbi parashtrimet e Komisionerit Publik.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF