29.2.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 681, datë 7.7.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Artur Ismajlukaj, me funksion prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar gjetjeve në ankim dhe në konsideratë të Rekomandimit të ONM-së, parashtroi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës, lidhur me shoqërimin e tij me persona të përfshirë në aktivitete të kundërligjshme dhe të dënuar për vepra penale, duke cenuar kështu besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Komisioneri Publik solli në vëmendje edhe disa rrethana në lidhje me vlerësimin e kontrollit të pasurisë dhe, në përmbyllje të parashtrimeve, kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 681, datë 7.7.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Artur Ismajlukaj.
Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësuesit të tij ligjor, kundërshtoi gjetjet në ankim dhe dorëzoi akte shtesë për të provuar të kundërtën e tyre.
Në vijim, kryesuesja e seancës kërkoi mendimin e palëve mbi dy denoncime nga publiku.
Komisioneri Publik u shpreh se denoncimet ishin shqyrtuar para se të ankimohej vendimi, dhe se, në këto rrethana, iu qëndronte shkaqeve të ankimit dhe nuk kishte asgjë për të shtuar.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit i konsideroi të pabazuara pretendimet e ngritura në ankesat e publikut.
Pas konsultimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor, të administrojë aktet shtesë të depozituara nga subjekti i rivlerësimit dhe të mos hetojë mbi denoncimet nga publiku, për shkak se nuk plotësojnë kushtet e nenit 53, të ligjit nr. 84/2016.
Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 25.3.2024, ora 10:00, ku palët do të përgatiten edhe për bisedimet përfundimtare.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF