16.4.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 714, datë 15.11.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Besnik Maho, ish-gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Pogradec.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës bëri me dije se subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet një komunikimi elektronik, kishte kërkuar shtyrjen e seancës së sotme dëgjimore, për arsye personale.

Në vijim, kryesuesja e seancës kërkoi të njihej me qëndrimin e Komisionerit Publik, mbi kërkesën e sipërcituar.

Komisioneri Publik u shpreh se kërkesa duhej të shoqërohej me aktet justifikuese të shkaqeve të pretenduara nga subjekti i rivlerësimit, duke marrë në konsideratë faktin se edhe vetë subjekti i rivlerësimit kishte ankimuar vendimin e KPK-së. Në përmbyllje të qëndrimit të tij, Komisioneri Publik kërkoi që të procedohej me vazhdimin e seancës.

Trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi t’i japë mundësi kërkuesit, z. Besnik Maho, që të dëgjohej në seancën e datës 7.5.2024, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF