17.4.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi rigjykimi i çështjes gjyqësore, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 42, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës risolli në vëmendje vendimin e marrë nga trupi gjykues, gjatë seancës së mëparshme, për pranimin e kërkesës së kërkueses Antoneta Sevdari, për rigjykimin e çështjes gjyqësore të sipërcituar, në referencë të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), “Sevdari kundër Shqipërisë”. Në vijim, kryesuesja e seancës ftoi palët të paraqisnin parashtrimet e tyre, të cilat i kishin depozituar më parë në Kolegj.
Komisioneri Publik parashtroi se shkaqet e paraqitura në ankimin e datës 29.8.2018, kundër vendimit nr. 42/2018, të KPK-së, mbeten të tilla edhe pas administrimit të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), “Sevdari kundër Shqipërisë”. Komisoneri Publik u shpreh se në vendimin e sipërcituar nuk konstatohet ndonjë element i rëndësishëm, që përbën shkak për rishikimin analitik të shkaqeve ankimore. Komisioneri Publik çmoi se, në rivlerësim të akteve në dosje të Komisionit, referuar edhe vendimmarrjes së Kolegjit, në rastin e procesit të rivlerësimit të kërkueses, znj. Antoneta Sevdari, mbetet e paprovuar e kundërta e barrës së provës, për shkaqet ankimore që lidhen me kriterin e pasurisë dhe të aftësive profesionale. Për rrjedhojë, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 42, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari. Në vijim, Komisioneri Publik parashtroi edhe qëndrimin mbi një denoncim të depozituar rishtazi pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë.
Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore, referoi parashtrime shtesë, që kundërshtonin shkaqet ankimore, të paraqitura nga Komisioneri Publik. Subjekti i rivlerësimit pretendoi se, në këtë rast, palët duhet të fokusoheshin vetëm në rishikimin e sanksionit të aplikueshëm mbi këto shkaqe ankimi, që kanë rezultuar në shkarkimin joproporcional. Në përmbyllje, subjekti i rivlerësimit kërkoi nga trupi gjykues mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 42/2018, të KPK-së.
Trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të administrojë dosjen e hetimit administrativ, të përcjellë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, mbi të cilën është marrë vendimi nr. 42/2018, që i përket subjektit të rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari. Me shumicë votash, trupi gjykues vendosi të mos hetojë mbi denoncimin e referuar nga Komisioneri Publik dhe të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes, për të vijuar me parashtrimin e bisedimeve përfundimtare.
Seanca gjyqësore u shty më pas, më datë 23.4.2024, ora 12:00, për t’i dhënë kohë Komisionerit Publik për të përgatitur bisedimet përfundimtare.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.