25.7.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 352, datë 1.3.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Iliba Bezati, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Vlorë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se subjekti i rivlerësimit kishte dërguar, përmes postës elektronike, parashtresën e saj mbi bisedimet përfundimtare dhe një përmbledhje me argumentet e tjera, të cilat do t’i viheshin në dispozicion edhe Komisionerit Publik.

Komisioneri Publik, gjatë paraqitjes në seancë të bisedimeve përfundimtare, referuar standardeve të vendosura në jurisprudencën e deritanishme të Kolegjit, kërkoi që të ardhurat, për të cilat rezulton se detyrimi tatimor është paguar nga personi i lidhur, pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.84/2016, të mos përfshiheshin në mesin e burimeve të ligjshme, sikurse iu qëndroi gjetjeve për diferenca negative në zërat e analizës financiare, të konstatuara ndër vite, për mbulimin e shpenzimeve dhe krijimin e kursimeve. Për shkakun ankimor të lidhur me kontrollin e aftësive profesionale, Komisioneri Publik çmoi se ai duhej vlerësuar nga Kolegji së bashku me gjetjet e tjera të shkaqeve të ankimit, në kuptim të nenit 4, pika 2, të ligjit nr. 84/2016. Në përmbyllje, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 352, datë 1.3.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Iliba Bezati.

Subjekti i rivlerësimit, duke iu qëndruar parashtrimeve gjatë shqyrtimit gjyqësor, u shpreh se detyrimi tatimor mbi të ardhurat e personit të lidhur nuk ka qenë detyrim i saj dhe në vijim pretendoi se, edhe për sa i përket vlerësimit të aftësive profesionale, arrinte nivel kualifikues për konfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 30.7.2024, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

 

PDF