7.10.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 703, datë 28.9.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Suela Salavaçi, me funksion prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve gjatë shqyrtimit gjyqësor, në zbatim edhe të Rekomandimit të ONM-së, konkludoi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin të provojë të kundërtën e barrës së provës mbi kontrollin e pasurisë dhe të aftësive profesionale. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 703, datë 28.9.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Suela Salavaçi.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi konkluzionet e Komisionerit Publik, duke pretenduar të kundërtën e tyre dhe rikonfirmimin në detyrë.
Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 22.10.2024, ora 15:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: https://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.